Si të mbrohesh nga provokuesit

16/08/2012 | 0 Comments

provokimi Si të mbrohesh nga provokuesit

Ka persona që “sulmojnë” të tjerët për të parandaluar kritikat dhe për ta kthyer situatën në favor të tyre. Përse e bëjnë? Cila është mënyra për t’i parandaluar?

Identikiti i tij

Një provokues di të tregojë anën më të keqe të personave me të cilët shoqërohet, di si t’i inatosë dhe t’i irritojë si askush tjetër, arrin të krijojë debate dhe zënka banale nga hiçi, nuk i dhëmb fakti që tjetri bëhet keq, ndihet në siklet dhe i vjen turp. Ky është provokuesi, një njeri i zakonshëm, por që në disa momente përdor një mënyrë komunikimi të qëllimshme duke sulmuar hapur bashkëbiseduesin për të parë nëse dhe si reagon. Zakonisht provokuesi e bën në mënyrë të vetëdijshme dhe të vazhdueshme, një refleks i fituar me kalimin e kohës duke provokuar vazhdimisht njerëzit. Sipas tyre në fakt, kjo është një mënyrë e mirë edhe për t’u stërvitur. Ndonjëherë, më rrallë, provokuesi nuk e kupton se i rrjedhin nga goja fjalë të këqija, që duken sikur drejtohen nga qëllime të pavetëdijshme. Gjithsesi, në pjesën më të madhe të rasteve gjithçka shkon siç e kishte parashikuar, duke nxjerrë nga vetja edhe personat që shquhen për një vetëkontroll dhe vetëvlerësim të madh.

Reagimet e tmerrshme

Provokuesi mund të veprojë në tri mënyra: nxitëse, ‘dribluese’ dhe vënie në vështirësi. Por përse e bën? Përgjithësisht e bën sepse kërkon të jetë në avantazh në një marrëdhënie të caktuar për ta menaxhuar siç dëshiron ai. Ka gjasa që kjo të jetë gjithashtu një mënyrë për të tërhequr vëmendjen, për të dalë nga anonimati. Në raste të tjera është një formë mbrojtjeje: ai sulmon për të parandaluar kritikat dhe për ta spostuar vëmendjen te tjetri. Ndonjëherë bën çmos për të treguar pjesën më agresive dhe më të keqe të një personi për ta vënë në provë dhe për të parë sesa reziston (si një lloj “prove dashurie”), për të treguar se “ky është në të vërtetë”, si dhe për të thënë: “Ja se çfarë fshihet pas maskës. Unë e dija!”. Në fakt, kushdo që bie në kurthin e provokuesit mund të reagojë kaq spontanisht, saqë në fund mund të përfundojë edhe duke i kërkuar falje. Megjithatë, është e mundur që të krijoni imunitet ndaj personave provokues dhe kjo do të thotë që mund ta përmirësoni ndjeshëm cilësinë e jetës suaj.

Vetëm një qëllim: të bëjnë keq bashkëbiseduesin

Provokuesit bëjnë kritika nëpër biseda duke ua bërë shumë të sikletshme situatën bashkëbiseduesve; bëjnë shaka të rënda, në mënyrë që të prekin pikën e dobët të tjetrit; përpiqen vazhdimisht të tregojnë “të vërteta të pakëndshme” që të lëndojnë; i banalizojnë përpjekjet, arritjet dhe ndihmën e personit që kanë përballë; sillen me sarkazëm ose përdorin pseudonime poshtëruese.

Si mund të veproni në të tilla raste

Shikoni me vëmendje në të kaluarën tuaj për të mësuar sesi të reagoni ndaj provokuesve. A janë gjithmonë të njëjtët? Cilat janë temat e veçanta që përdorin? Kanë një model fiks për t’u përgjigjur? Duke e njohur do t’ju ndihmojë të bëni diferencën dhe të silleni ndryshe kur ju sulmon.

Mos reagoni si ai

Mos iu përgjigjuni provokimeve me provokime të tjera, ose “bashkëbisedimi” do të përfundojë në zënkë, gjë të cilën ai e pret me padurim. Mos u përpiqni të justifikoheni, nuk i detyroheni shpjegime dhe nuk keni pse të sqaroheni. Qëllimet e tija janë djallëzore dhe nuk do t’ju dëgjojë.

Kur ndiheni të provokuar dhe i sulmuar drejtpërdrejt, ky është rasti i duhur për të ndryshuar: mos reagoni si zakonisht, kontrolloni veprimet dhe ruani qetësinë. Pastaj hidhini një vështrim edhe atij duke i lënë që të kuptojë se nuk do t’i shkojë e tija. Provokatori pret diçka prej jush, një inatosje, stepje, shikim të trishtuar, një fyerje. Ju mund ta habisni atë me një veprim të papritur: qeshni, tregohuni indiferent ose qëndroni të heshtur duke e parë me inat dhe mos bini pre e provokimit. I zënë në kurth nuk do të dijë se ç’të bëjë dhe do ta kuptojë se me ty nuk i ecën.

Category: Jetë, Lifestyle, Top lajme

Leave a Reply

*