Shqiptarët jetimë
Besnik SINANI
Përpara se të drejtat fetare t’u njihen nga shteti maqedonas, të qenit myslimanë u është mohuar nga Tirana dhe Prishtina. Nuk kishte nevojë për protestat që gazetat e Tiranës t’i shpallnin minaret e Maqedonisë si raketa drejtuar kundër Perëndimit.
Fill pas protestës së shqiptarëve në Maqedoni kundër arrestimeve të operacionit “Monstër”, ku njëzet shqiptarë u akuzuan për vrasjen e pesë shtetasve maqedonas dhe si radikalë islamikë, Tirana dhe Prishtina ngritën zërin kundër protestuesve shqiptarë. Toni fetar i protestës dhe prezenca e flamujve të Turqisë dhe flamuri i gjelbër – jo i Arabisë Saudite, por flamuri që përmban dëshminë fetare të myslimanëve kudo në botë – bënë që të dy këto qeveri shqiptare të shqetësohen për imazhin në sytë e Perëndimit e, si rrjedhojë, t’ia tërheqin veshin vëllait të vogël në Maqedoni.
Por a kishte mundësi që këto protesta mos kishin tone fetare? Qeveria maqedonase ka kohë që ka ndërmarë politika fetare. Kishat janë vendosur për të shënuar kufijë etnikë në territore të debatuara, siç është rasti i kishës së Kalasë së Shkupit, një kryq gjigand është vendosur në kodrën mbi qytet si pretendim etnik mbi përkatsinë e qytetit – përkatësi që kërkon të përjashtojë shqiptarët. Plani i ri për kryeqytetin është përplot simbole, monumente, objekte të kultit të krishterë që synojnë të vendosen si sinore etno-fetare, ndërkohë që objekte të kultit ortodoks janë ndërtuar edhe në vende ku ka patur më parë xhami. Politika maqedonase ka kohë që artikulohet si një politikë fetare edhe pse shqiptarët janë përgjigjur me një politikë “laicizmi asimetrik,” siç e cilësonte analisti Ramadan Ramadani, këto ditë.
Kjo politikë fetare u demonstrua edhe në akuzën e ngritur – jo nga Gjykata por nga Ministria e Brendshme – për radikalët islamikë. Prezenca e Kuranit në shtëpitë e të arrestuarve u paraqit si provë e radikalizmit islamik dhe pa u kryer ende një proces gjyqësor, vrasjet e pesë shtetasve maqedonas u lidhën dhe u motivuan me ngjyra fetare. Nga njëzet të arrestuar, 17 janë liruar dhe akuzat kanë rënë dhe tre të tjerët ende nuk janë shpallur fajtorë, por zëdhënësit shtetërorë dhe mediat vazhdojnë të ushqejnë retorikën e “radikalëve islamikë.”
Por, si reaguan Tirana dhe Prishtina në këtë dramë të paralajmëruar? Me të drejtë Gjergj Erebara shkruante këto ditë tek “Shqip” se: “Analistët që i shohin gjërat nga njëfarë Olimpi i rremë, nxitojnë të ankohen se pse shqiptarët në Shkup dolën të protestonin pas së premtes dhe me një flamur jeshil. Ndërkohë, asnjë protestë nuk ka ardhur nga ky Olimp për dhunën nacionaliste që Gruevski po ushtron prej kaq vitesh mbi shqiptarët, as mbi korrupsionin e të ashtuquajturës ‘udhëheqësi politike të shqiptarëve të Maqedonisë’.”
Këtë Erebara e shpjegon më sipër si reagim të një “[s]hqetësimi që lidhej me imazhin e shqiptarëve, që për disa parapëlqehet të kufizohet si imazhi i një kombi me “identitet evropian” [nënkupto laiko-kristian] ose që mund të quhet edhe “kompleksi i të pasurit element orientalë.” Ajo që është neglizhuar nga analistët e këtij “Olimpi kombëtar” janë edhe të drejtat fetare, që janë të drejta themeltare njerëzore, përfshirë edhe të drejtën për të mbajtur Kuranin në shtëpi pa u inkriminuar për këtë.
Përpara se të drejtat fetare t’u njihen nga shteti maqedonas, të qenit myslimanë u është mohuar nga Tirana dhe Prishtina. Nuk kishte nevojë për protestat që gazetat e Tiranës t’i shpallnin minaret e Maqedonisë si raketa drejtuar kundër Perëndimit. Nuk mjafton që të drejtat fetare të shqiptarëve të mohohen nga shteti maqedonas, por ritualet fetare të këtyre shqiptarëve tëkthehen edhe në objekt talljesh të opinionistëve të Prishtinës. Ajo që analistët e këtij Olimpi kombëtarist injoruan është ajo që do thoshte në një intervistë Kim Mehmeti, se:
“Protestat i nxiti politika etnocentrike e Gruevskit, protestat i nxiti ajo që shqiptarët nuk janë të mbrojtur nga institucionet, protestat i nxiti inferoriteti i partive shqiptare që marrin pjesë në qeveri, protestat i nxit pritja e shqiptarëve të bëhen edhe shtetndërtues, e jo vetëm të punësuar në qeverinë e Gruevskit sa për t’i asistuar t’i realizojë premtimet e veta.”
E, në një kohë kur Tirana e Prishtina më shumë se mbështetje shpallën distancim, kur partitë politike shqiptare kanë dështuar në rolin përfaqësues të shqiptarëve, do të duhej që përpara se të analizonim flamujt që mbajtën protestuesit në Shkup, të ballafaqonim realitetin në të cilin shqiptarët e Maqedonisë janë lënë jashtë solidaritetit e mbështetjes së bashkësisë kombëtare, që përfaqëson flamuri kombëtar.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit www.graviteti.com
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit www.graviteti.com
Category: Opinione






