Titujt

Gjarpërinj edhe në oborret e shkollave

largea_xharperinj1375255605

Temperaturat e larta që kanë kapluar vendin janë shkaktare të paraqitjes së shumë gjarpërinjve në rajonin e Shkupit. Lëvizja e gjarpërinjve është vërejtur në hapësirat e gjelbra dhe në vendet me ujë në afërsi të qytetit të Shkupit. Shqetësues është edhe fakti se gjarpërinj janë paraqitur edhe në oborrin e disa shkollave, dhe kjo sqarohet nga drejtuesit e tyre, si pasojë e mosrregullimit të hapësirës së gjelbër.

“Është mirë që urgjentisht të bëhet rregullimi i oborreve të shkollave që nxënësit të ndihen më të sigurt. Ka pasur raste të shumta që kemi vërejtur gjarpërinj në oborr të shkollës dhe nuk ka qenë vetëm një rast. Kjo, nga arsyet se nuk janë mirëmbajtur ashtu sa duhet dhe është e nevojshme të mirëmbahen oborret e shkollave. Oborri i shkollës tonë nuk është i rregulluar edhe pse kemi bërë disa përpjekje që i njëjti të rregullohet. Apelojmë që sa më shpejt të rregullohen oborret e shkollave për shkak se rreziku nga gjarpërinjtë mund të rritet edhe më shumë me fillimin e vitit shkollor”, ka deklaruar profesori dhe njëherësh u.d në gjimnazin “Zef Lush Marku”, Sahar Sadiki.

Sipas biologëve, është vapa shkaktarja kryesore për paraqitjen e gjarpërinjve në vende të pazakonta, siç janë parqet e gjelbra dhe vendet ku ka ujë.

“Tek neve kemi gjarpërinjtë të cilët janë helmues edhe jo helmues, dhe të cilët mund të jenë mjaft të rrezikshëm. Në këtë periudhë paraqiten për shkak se temperaturat janë shumë të nxehta, një ashtu edhe temperatura e trupit të tyre rritet tepër dhe janë më shumë aktiv, kërkojnë ushqim, shumohen dhe prandaj ata mund të paraqiten kudo, nëpër kaçuba nën shkëmbim dhe vende të tjera”, vlerëson profesoresha e Biologjisë, Hasime Bunjaku.

Ajo shton se gjarpërinjtë mund të jenë të rrezikshëm nëse janë helmues dhe se në këto raste do të duhej reaguar dhe të jepet ndihma e parë. Ajo thekson se është e nevojshme që njerëzit të bëjnë më shumë kujdes dhe jo panik, në rastet kur të shohin gjarpërinj.

“Ata duhet të largohen dalëngadalë ose sipas mundësisë nëse janë të guximshëm ta largojnë prej rrugës ose vendit ku e kanë parë. Prandaj duhet të kemi kujdes ku ulemi, ku ecim, ku qëndrojmë , mirëpo paniku nuk duhet të jetë aq i madh për shkak se ne jemi më të mëdhenj se gjarpri”, thekson profesoresha.

Mediat kanë raportuar se shumë gjarpërinj janë paraqitur në vendet me vegjetacion, por dhe në ato mjedise ku kalojnë dhe qëndrojnë njerëz, gjë që ka përhapur panik në mesin e qytetarëve.

Comments are closed.

Scroll To Top